Kalo te përmbajtja
AFA Engineering

Mirëmbajtje dhe servis kondicionerësh në Tiranë

Shumica e defekteve që shohim nuk vijnë nga pajisje të dobëta, por nga mungesa e mirëmbajtjes. Një kondicioner i papastruar ftoh më pak, konsumon më shumë rrymë dhe e përhap në ambient pluhurin dhe myshkun që mblidhen brenda tij.

Teknik i AFA Engineering duke servisuar një njësi të jashtme kondicioneri

Çfarë përfshin një servis i plotë

Fillojmë me filtrat e njësisë së brendshme: i heqim, i lajmë dhe i thajmë. Filtri i bllokuar është shkaku më i shpeshtë i rënies së fuqisë ftohëse dhe i rritjes së faturës së energjisë.

Më pas pastrojmë shkëmbyesin e nxehtësisë dhe turbinën e njësisë së brendshme. Këtu mblidhet një shtresë pluhuri e përzier me lagështirë, e cila është burimi i erës së pakëndshme që shumë përdorues e ndiejnë kur ndezin kondicionerin pas dimrit. Pastrojmë gjithashtu tepsinë dhe tubin e kondensatit, sepse bllokimi i tyre shkakton pikim brenda ambientit.

Në njësinë e jashtme lajmë kondensatorin dhe kontrollojmë ventilatorin. Matim presionet e punës me manometra dhe verifikojmë nëse ngarkesa e gazit është e saktë. Kontrollojmë lidhjet elektrike, konsumin e kompresorit dhe funksionimin në të dy regjimet.

Sa shpesh duhet bërë

Për një banesë normale, një servis i plotë në vit është i mjaftueshëm — më së miri në pranverë, përpara sezonit të ftohjes. Nëse pajisja përdoret edhe për ngrohje gjatë dimrit, rekomandojmë dy kontrolle në vit.

Për lokale, restorante, zyra me shumë persona dhe ambiente ku pajisja punon shumë orë në ditë, intervali duhet të jetë më i shkurtër. Në kuzhina profesionale, ku yndyra kapet në filtra dhe në kanale, mirëmbajtja duhet planifikuar disa herë në vit.

Kontrata mirëmbajtjeje për biznese

Për bizneset me disa njësi ose me sisteme të centralizuara, mirëmbajtja e planifikuar është më e lirë sesa riparimet e papritura. Një ndërprerje e klimatizimit në një restorant në gusht ose në një zyrë me server nuk kushton vetëm riparimin — kushton edhe ditën e punës.

Mund të organizojmë vizita periodike me kalendar të rënë dakord paraprakisht, që ju të mos merreni fare me këtë. Na kontaktoni për të diskutuar numrin e njësive dhe frekuencën që i përshtatet ambientit tuaj.

Çfarë mund të bëni vetë

Larja e filtrave nuk kërkon teknik. Hapni kapakun e njësisë së brendshme, hiqni filtrat, lajini me ujë të vakët pa detergjentë agresivë dhe lërini të thahen plotësisht përpara se t'i vendosni sërish. Një filtër i lagësht kthehet shpejt në vend të përshtatshëm për myk.

Kontrolloni edhe që njësia e jashtme të mos jetë e mbuluar nga gjethet, pluhuri ose sende të vendosura pranë saj. Kondensatori ka nevojë për ajër të lirë rreth tij; kur rrjedha bllokohet, presioni rritet dhe kompresori punon më rëndë.

Pjesa tjetër — pastrimi i shkëmbyesit, matja e presioneve dhe kontrolli elektrik — kërkon vegla dhe përvojë, prandaj është më mirë të lihet për servisin periodik.

Nga punimet tona

Matje me manometra gjatë servisit të një njësie të jashtme kondicioneri
Pastrim i shkëmbyesit të nxehtësisë së një kondicioneri dyshemeje
Instalim kondicioneri me bombolë gazi dhe vegla pune në kantier
Shiko të gjitha punimet

Pyetje të shpeshta

Pyetjet që na bëhen më shpesh

Sa kushton instalimi i një kondicioneri?

Kostoja varet nga fuqia dhe tipi i pajisjes, nga gjatësia e linjës midis njësisë së brendshme dhe asaj të jashtme, dhe nga vështirësia e montimit të njësisë së jashtme. Një instalim standard në një apartament kushton dukshëm më pak sesa një montim në lartësi ose me linjë të gjatë.

Nuk japim çmime të përgjithshme pa e parë ambientin, sepse do të ishin hamendje. Na dërgoni një foto të vendit ku doni ta montoni dhe përmasat e dhomës, ose caktoni një vizitë — oferta është pa detyrim.

Sa shpesh duhet bërë mirëmbajtja e kondicionerit?

Për një banesë, një servis i plotë në vit është i mjaftueshëm, më së miri në pranverë përpara sezonit të ftohjes. Nëse pajisjen e përdorni edhe për ngrohje gjatë dimrit, rekomandohen dy kontrolle në vit.

Për lokale, restorante dhe zyra ku pajisja punon shumë orë në ditë, intervali duhet të jetë më i shkurtër. Filtrat, ndërkohë, duhen larë çdo një deri dy muaj gjatë përdorimit intensiv — këtë mund ta bëni edhe vetë.

Punoni edhe jashtë Tiranës?

Po, punojmë në Tiranë dhe në Lezhë. Për objekte më të mëdha ose për projekte të plota HVAC, na kontaktoni për të diskutuar vendndodhjen — disa punime i marrim edhe më larg.

A jepni garanci për punimet?

Po. Kushtet dhe afati i garancisë për punimin tonë përcaktohen bashkë me ofertën, sepse ndryshojnë sipas llojit të ndërhyrjes.

Pajisjet kanë veç e veç garancinë e prodhuesit, e cila vjen me dokumentacionin e tyre.

Sa kohë zgjat instalimi i një kondicioneri?

Një instalim standard i një njësie të vetme zgjat zakonisht disa orë. Nëse linja duhet shtruar nëpër mure, nëse njësia e jashtme montohet në lartësi, ose nëse instalohen disa njësi njëherësh, puna mund të marrë një ditë ose më shumë.

Kohën e saktë ua themi pasi ta shohim ambientin, që të mos ju lëmë në pritje pa ditur.

Si e di sa fuqi më duhet për dhomën time?

Fuqia nuk përcaktohet vetëm nga sipërfaqja. Ndikojnë lartësia e tavanit, sa dritare ka dhoma dhe nga cila anë i bie dielli, izolimi i mureve, kati, dhe sa persona e përdorin ambientin.

Ne e matim ambientin dhe llogarisim ngarkesën termike përpara se të propozojmë pajisje. Një kondicioner i vogël nuk e arrin kurrë temperaturën, ndërsa një shumë i madh ndizet e fiket vazhdimisht, konsumon më shumë dhe nuk e heq lagështirën nga ajri.

Punoni edhe me biznese dhe objekte të mëdha?

Po. Përveç banesave, punojmë me lokale, restorante, zyra, dyqane, hotele dhe ambiente industriale. Për këto ofrojmë edhe projektim të plotë HVAC: llogaritje të ngarkesave, zgjedhje të sistemit, shtrirje të kanaleve dhe zbatim.

Për bizneset me disa njësi, mirëmbajtja e planifikuar është zakonisht më e lirë sesa riparimet e papritura.

Me çfarë markash pajisjesh punoni?

Punojmë me pajisje të markave kryesore të tregut, si Fujitsu, Daikin, Cooper&Hunter, Toyotomi dhe Mitsubishi Electric.

Marka zgjidhet sipas ambientit dhe buxhetit tuaj. Nëse keni tashmë një pajisje të instaluar nga dikush tjetër, mund ta marrim në mirëmbajtje ose ta riparojmë pavarësisht markës.

Kontakt

Kërko një ofertë

Përgjigjemi më shpejt në WhatsApp ose në telefon.

TelefonoWhatsApp